Një raport i ri nga Qendra e Kërkimeve dhe Informimit të Knesetit zbulon se midis janarit 2024 dhe korrikut 2025, 279 ushtarë të ushtrisë izraelite kanë tentuar të kryejnë vetëvrasje.
Raporti, i përgatitur me kërkesën e deputetit të krahut të majtë të partisë Hadash-Ta’al, Ofer Cassif, tregon se për çdo ushtar që ka vdekur nga vetëvrasja janë regjistruar shtatë tentativa të tjera.
Sipas raportit, gjatë vitit 2024, ushtarët që kanë marrë pjesë në luftime kanë përbërë 78% të të gjitha vetëvrasjeve në Izrael — një rritje e madhe krahasuar me vitet e mëparshme, kur norma varionte nga 42% deri në 45% midis viteve 2017 dhe 2022.
Ky rritje mund të lidhet pjesërisht me mobilizimin e shtuar të rezervistëve pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, kur gjatë luftës dhjetëra mijëra ushtarë u rikthyen në shërbim aktiv.
Shumica e të dhënave janë siguruar nga Qendra e Shëndetit Mendor e Korpusit Mjekësor të Forcave të Armatosura Izraelite (IDF), si dhe nga diskutimet e zhvilluara në komisionet e ndryshme të Knesetit.
Raporti sqaron se këto shifra përfshijnë vetëm ushtarët që kanë qenë në shërbim — qoftë në ushtrinë e rregullt apo në rezervë — në momentin e vdekjes ose të përpjekjes për vetëvrasje, dhe nuk përfshijnë veteranët që kanë kryer vetëvrasje pas përfundimit të detyrës ushtarake.
Ushtarët izraelitë që kanë marrë pjesë në operacionet në Rripin e Gazës kanë qenë të përfshirë në kryerjen e gjenocidit dhe në krime të shumta të tjera, gjë që ka lënë pasoja të rënda psikologjike tek disa prej tyre.




















