Dhjetëra mijëra libra me qindra vjeçarë po hiqen nga raftet e manastirit mesjetar në Panonhalma të Hungarisë, në përpjekje për t’i shpëtuar nga pushtimi i bubave që mund ta shkatërrojnë këtë thesar të çmuar kulturor.
Manastiri benediktin 1 000-vjeçar në Panonhalma është një nga qendrat më të vjetra të dijes në Hungari dhe është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Gjatë aksionit të restaurimit, punonjësit po zbrazin rreth 100 000 libra me kapakë prej letre të lidhur me dorë, të vendosin me kujdes në kuti dhe t’i dërgojnë për procesin e dezinfektimit, i cili synon të shkatërrojë insektet e vogla që kanë zënë vend në librat e vjetër.
Insekti i njohur si “buba e bukës” gjendet shpesh midis produkteve të thata, si drithërat, mielli dhe erëzat, por tërhiqet edhe nga gelatina dhe ngjitësi me bazë niseshte në brendësi të librave.
Bubat u zbuluan në një pjesë të bibliotekës ku ruhen gati një e katërta e 400 000 librave të saj.
“Infeksioni i avancuar i insekteve u zbulua në disa zona të bibliotekës, prandaj e gjithë koleksioni është konsideruar i kontaminuar dhe duhet të trajtohet njëherësh,” tha Zsófia Edit Hajdu, krye-hulumtuese në projektin e restaurimit.
Pushtimi i bubave u vu re gjatë pastrimit rutinë të bibliotekës, raporton AP.
Stafi vuri re shtresa të pazakonta pluhuri në raftet e bibliotekës dhe më pas gjeti vrima në disa prej librave.
Manastiri i Panonhalmës, themeluar në vitin 996, katër vjet para krijimit të Mbretërisë Hungareze, shtrihet në një kodër të lartë në verilindje të Hungarisë dhe ruan koleksionin më të vjetër të librave në vend, si dhe shumë nga dokumentet më të hershme dhe më të rëndësishme historike.