Rene Schlee, drejtor i FES-it për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, tha se propozimi i draft-statutit të Asociacionit është projekt i pragmatizmit politik dhe nuk është përfundimtar
Zyra e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Prishtinë ka prezantuar propozimin e draft-statutit për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP), raporton Anadolu Agency (AA).
Rene Schlee, drejtor i FES-it për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, tha se propozimi i draft-statutit të Asociacionit është projekt i pragmatizmit politik dhe nuk është përfundimtar.
“Objektiva e përgjithshme e trajtimit të këtij propozimi ka si synim lehtësimin e diskutimeve Kosovë-Serbi duke u bazuar në propozimin konkret ngase ka pasur shumë debate për asociacionin, por pa progres dhe askush nuk ka propozuar një propozim konkret”, theksoi Schlee.
Senad Saboviq, i cili prezantoi propozimin e draft-statutit të asociacionit, tha se statuti e përcakton Asociacionin si entiteti ligjor në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemin ligjor të Kosovës.
Saboviq citoi edhe njërën nga pikat më të rëndësishme të draft-statutit që lidhet me objektivat e saj.
“Në përmbushje të objektivave të saj, Asociacioni/Bashkësia nuk do të dëmtojë apo anashkalojë autoritetin e parashikuar me kushtetutë dhe ligje dhe kompetencat e komunave pjesëmarrëse dhe as në çfarëdo mënyre të zëvendësojë ose të cenojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e parashikuar të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve qendrore dhe autoriteteve lokale të Kosovës”, theksoi Saboviq.
Sipas këtij draf-statuti, Asociacioni/Bashkësia është akti më i lartë juridik i Asociacionit/Bashkësisë i cili do të miratohej nga një kuvend themelues i Asociacionit/Bashkësisë, i përbërë nga anëtarët e votuar të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Përpos statutit, drafti i këtij statuti parasheh që Asociacioni/Bashkësia të ketë edhe trupa si Kuvendi i Asociacionit/Bashkësisë, Kryetar i Asociacionit/Bashkësisë, Nënkryetar i Asociacionit/Bashkësisë, Këshilli i Asociacionit/Bashkësisë, Bordi i Asociacionit/Bashkësisë, si dhe Zyra për Ankesa dhe Parashtresa e Asociacionit/Bashkësisë.
Bëhet e ditur se sipas këtij propozimi Asociacioni/Bashkësia do të ketë edhe simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por nuk është zbatuar deri më tani.
Pala ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues nga BE-ja dhe SHBA-ja kanë intensifikuar vizitat në Kosovë dhe kërkesën ndaj krerëve të institucioneve kosovare për themelimin e Asociacionit si një nga kushtet për të arritur deri tek një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Kryeministri kosovar, Albin Kurti, deri më tani e ka refuzuar këtë ide, duke deklaruar se Kosova nuk mund të formojë “asociacion një-etnik” brenda territorit të saj ngjashëm sikurse ai i “Republika Srpska” në Bosnjë e Hercegovinë (BeH).
