Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime “Ndalo së urituri Gazën tani!”, “Ushqeni foshnjat e Gazës” dhe “Hapni kufirin, jepini fund bllokadës”
Grupet propalestineze u mblodhën të martën në qytetin e New Yorkut për të kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës dhe hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar, raporton Anadolu.
Ata mbanin pankarta me mbishkrime “Ndalo së urituri Gazën tani!”, “Ushqeni foshnjat e Gazës” dhe “Hapni kufirin, jepini fund bllokadës”.
Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera, përfshirë kryeqytetin Washington, Chicago dhe San Francisco, për të kërkuar ndërprerjen e rrethimit izraelit të Rripit të Gazës, ndërsa uria masive është rritur në nivele të papara.
OKB-ja të martën dënoi sulmet ndaj kërkuesve të ndihmave në Gaza, pavarësisht sigurimeve të përsëritura nga Izraeli se civilët nuk do të ishin në shënjestër.
Izraeli ka vrarë më shumë se 59.100 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.