Qendra për Arsim Ekonomik organizoi sot në Sheshin e Ban Jelačić-it në Zagreb protesta kundër futjes së shërbimit ushtarak të detyrueshëm në Kroaci. Siç thanë organizatorët e tubimit protestues, shërbimi ushtarak në vend është i padrejtë dhe i panevojshëm.
“Shumica e qytetarëve, ashtu si edhe shumica e deputetëve të Saborit, nuk e kanë shërbyer dhe nuk do ta shërbejnë kurrë ushtrinë. Qoftë për shkak të strukturës së moshës dhe gjinisë së popullsisë, qoftë për shkak të Ministrisë së Mbrojtjes që në të vërtetë kërkon 4.000 rekrutë në vit, çdo të dhjetin të detyruar ushtarak. Kroacinë në Luftën e Atdheut e mbrojtën vullnetarët. Nuk pati mobilizim të përgjithshëm”, theksuan organizatorët.
Pjesëmarrësit e protestës mbanin pankarta me mbishkrime: “Nëse doni paqe, mos u përgatitni për luftë”, “Nuk shkojmë në ushtri”, “Kthejini gratë në pozita pushteti, ato do të dinë si të fitojnë nga paqja” dhe të tjera.
Në veçanti ata kritikuan shumën që shteti ofron për shërbimin ushtarak.
“Po të paguante shteti ndershmërisht ushtrinë, do të kishte mjaftueshëm vullnetarë. Por ndërkohë që restorantet nuk arrijnë të gjejnë punëtorë sezonalë për 1.250 euro me ushqim e fjetje, qeveria u ofron 900 euro rekrutëve dhe pastaj pyetet pse njerëzit nuk duan të shërbejnë ushtrinë ndërsa dronët bien mbi Evropë”, thanë organizatorët, raporton Index.hr.
Gjithashtu, të rinjtë shprehën pakënaqësinë pasi, siç thanë ata, pushteti nuk i kishte përfshirë në marrjen e kësaj vendimi. Ata po ashtu theksuan se duan investim në arsim.
“Duam investim tek ne, jo në bomba. Nuk jemi mish për top,” u shprehën ata.