– Protestuesit mbanin tenxhere, tiganë dhe pirunë për të simbolizuar krizën e urisë në Gaza dhe kërkuan që Izraeli të lejojë hyrjen e kamionëve me ndihma në enklavën palestineze.
Qindra demonstrues janë tubuar përpara ambasadës izraelite në Bruksel për të shprehur solidaritet me palestinezët dhe për të bërë thirrje për mbylljen e ambasadës, raporton Anadolu.
I organizuar nga grupet e shoqërisë civile, tubimi shprehu revoltën për bllokadën e furnizimit me ushqim dhe ujë nga Izraeli në Gaza, si dhe dënoi veprimet izraelite si krime lufte.
Protestuesit mbanin tenxhere, tiganë dhe pirunë për të simbolizuar krizën e urisë në Gaza dhe kërkuan që Izraeli të lejojë hyrjen e kamionëve me ndihma në enklavën palestineze.
Duke mbajtur shalle palestineze dhe simbolin e shalqirit, pjesëmarrësit thërrisnin parulla të tilla si “Në Gaza ka gjenocid, ne nuk do të heshtim”.
Ata gjithashtu kërkuan nga autoritetet belge të mbyllin ambasadën e Izraelit në Bruksel.
Tensionet u përshkallëzuan në protestë kur disa demonstrues u përpoqën të afrohen në hyrjen e ambasadës, duke rezultuar në përleshje me forcat e sigurisë.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka vonuar zbatimin e marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve me Hamasin dhe ka mbajtur të mbyllura pikat kufitare të Gazës, duke i lënë kamionët me ndihma humanitare të bllokuar përgjatë kufirit.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Gaza të paktën 59.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake gjithashtu ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.