Në kryeqytet sot pritet të mbahet një protestë e madhe qytetare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë dhe kundër padrejtësisë në këtë proces.
Veteranë të luftës dhe qytetarë të shumtë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, duke e cilësuar këtë proces si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.
Veterani i UÇK-së, Rasim Gërbeshi, tha për Ekonomia Online se luftëtarët nuk kanë sakrifikuar për të përfunduar në burg, por për ta fituar dhe mbrojtur lirinë e Kosovës.
“Jam veteran i luftës së UÇK-së. Jemi të ftuar të dalim në protestë të gjithë, sepse është e vërtetë se ata nuk kanë luftuar për të shkuar në burgje të Hagës, por kanë luftuar për këtë liri, këtë gjak që kanë derdhur ushtarët dhe shokët tanë. Mos të ishin ata dhe Amerika sot nuk do të ishim këtu. Duhet me qenë shumë të lumtur që kanë luftuar të gjithë për këtë liri. Është e padrejtë. Nuk janë ata që kanë bërë krime, nuk kanë luftuar për të qenë atje, por këtu në Kosovë. Ata kanë luftuar për të drejtat tona, për liri, për fëmijët tanë. Fëmijët tanë sot e kanë lirinë, por nuk e dinë pse janë arrestuar ata, pse janë shkuar. Është problem. Besoj që do të lirohen sa më shpejt”, tha Gërbeshi.
Edhe qytetari Izet Hajdini tha se Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që ekziston, ndërsa theksoi se protestat duhet të vazhdojnë derisa të arrihet drejtësia për ushtarët e UÇK-së.
“Duhet më shpesh të bëhen protesta. Shpresoj të ndikojnë. Gjykata Speciale është e padrejtë për ushtarët e UÇK-së, sepse ata kanë luftuar për këtë vend dhe është i padrejtë gjykimi. Kriminelët serbë janë të lirë. Kanë bërë masakra në Reçak e gjithë Kosovën. Ata duhen dënuar e jo ushtarët e UÇK-së pa pikë faji. Do të marr pjesë në protestë, por një protestë nuk besoj që ndikon. Duhet më shpesh të bëjmë protesta. Shpresoj të lirohen më shpejt, sepse kjo është gjëja më e padrejtë që ekziston në planet. Gjykata Speciale është gjëja më e padrejtë. Këta nuk kanë bërë krime, kanë bërë krime ata që janë të lirë”, tha për Ekonomia Online, Hajdini.