Protesta masive kundër Trumpit, miliona amerikanë pritet të dalin në rrugë: “Nuk duam mbretër”

Të shtunën në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë planifikuar protesta masive kundër presidentit Donald Trump, ku pritet të marrin pjesë miliona njerëz, sipas organizatorëve.

Protestat, të titulluara “Dita pa mbretër” (No Kings Day), do të mbahen në më shumë se 1.500 qytete në të 50 shtetet e SHBA-së, si dhe në disa vende të tjera jashtë Amerikës.

Këto demonstrata do të përkojnë me paradën ushtarake që Trump organizon në Washington me rastin e 250-vjetorit të ushtrisë amerikane. Interesante është se parada mbahet pikërisht në ditëlindjen e 79-të të Trumpit.

Sipas organizatorëve, “Dita pa mbretër” përfaqëson një “ditë kombëtare rezistence” kundër autoritarizmit. Ngjarja organizohet nga dhjetëra organizata qytetare dhe mbi njëqind grupe pro-demokratike.

“Në Amerikë nuk kemi mbretër,” thuhet në faqen zyrtare të protestës. “Po i nëpërkëmbin gjykatat tona, po deportojnë qytetarët amerikanë, njerëzit po zhduken nga rrugët, po sulmojnë të drejtat tona civile dhe po kufizojnë shërbimet publike. Korrupsioni ka shkuar shumë larg,” thuhet më tej në deklaratë.

Ezra Levin, bashkëthemelues i organizatës joqeveritare Indivisible, e cila qëndron pas Ditës pa mbretër, tha të hënën për MSNBC se protestat janë planifikuar që para një muaji dhe kanë nxitur një interes të jashtëzakonshëm, veçanërisht për shkak të situatës aktuale në Los Angeles, ku qytetarët po protestojnë kundër bastisjeve të Trumpit ndaj emigrantëve.

Trump, të martën, paralajmëroi masa të ashpra kundër protestuesve gjatë paradës. Ai deklaroi se do të urdhërojë përdorimin e Gardës Kombëtare dhe trupave të marinsave. Garda tashmë është vendosur në Los Angeles, dhe sipas guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, kjo po ndodh në mënyrë të paligjshme.

“Njerëzit që duan të protestojnë do të përballen me një rezistencë shumë të fortë. As nuk kam dëgjuar për ndonjë protestë, por e dini, këta janë njerëz që e urrejnë vendin tonë. Dhe do të përballen me një rezistencë shumë të fortë,” deklaroi Trump, sipas Time.

Kategoritë
BotaLajme