Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj “Kobrës” dhe katër të tjerëve për vrasjen e një 31-vjeçari nga Kukësi

Prokuroria Speciale ditën e sotme ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj pesë personave, shkruan Reporteri.net.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se një nga të pandehurit, Dibran Hoxha akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër pesë (5) të pandehurve me inicialet D.H., R.S., A.V., B.M dhe J.B. Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri D.H., akuzohet për veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së, si dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Të pandehurit R.S dhe B.M. akuzohen për veprën penale ‘’Manipulimi me prova’’ nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së. Ndërkaq, të pandehurit R.S, J.B dhe A.V. akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në rrahje’’ nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Po ashtu, të pandehurit R.S dhe J.B akuzohen se e kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Vrasja e 31-vjeçarit nga Kukësi me inicialet ka ndodhur në orët e para të 3 janarit 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren, pronar i së cilës është Dibran Hoxhaj.

Atë kohë prokurorja e rastit, Nazan Shero kishte thënë se një shumë prej 400 eurove ishte përmendur nga dëshimtarët.

Kategoritë
LajmeVendi