Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është mbrojtur në heshtje për rastin e rezervave shtetërorë të enjten në Prokurorinë Speciale.
Prokuroria ka thënë se Hajdari është paraqitur për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Rezervat shtetërore’. Znj.Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, znj.Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje. Rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.