Prokuroria pas ndalimit 48 orë të Gani Gecit: Mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e gazetarëve

Prokuroria pas ndalimit 48 orë të Gani Gecit: Mbetemi të përkushtuar për mbrojtjen e gazetarëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për ndalimin e ish-deputetit Gani Geci. 

Prokruoria ka njoftuar se e  ka ndaluar për 48 orë Gecin, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari Gani Geci dyshohet se e ka kanosur gazetarin për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.

“Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë një person me inicialet G.G., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘Kanosja’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar si gazetari Lirim Mehmetaj, në cilësinë e të dëmtuarit, ashtu edhe i dyshuari.

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G., me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe sigurimin e provave relevante.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi