Projektligji i ri për KPM-në, Blakaj: Mbajtëm takime me ekspertë të BE-së, askush nga organizatat e mediave s’erdhi

Tea Blakaj, këshilltare ligjore në Qeverinë e Kosovës, ka njoftuar se në lidhje me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) janë mbajtur disa diskutime dhe dëgjime publike.

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të mërkurën është shqyrtuar në parim ky projektligj, i miratuar nga Qeveria e Kosovës. Tani pritet të përcillet në Kuvend, mes shumë kritikave.

Para anëtarëve të Komisionit, Blakaj ka thënë se një takim është mbajtur edhe me ekspertët e Bashkimit Evropian që kanë ndihmuar në hartimin e këtij projektligji.

Por, sipas saj, në këtë takim nuk kanë shkuar përfaqësuesit e organizatave të mediave, të cilat tani po e kundërshtojnë projektligjin.

“Konsultimet në lidhje me këtë projektligj janë mbajtur që nga fillimi. Një vitin 2021 e kemi pasur edhe një dëgjim publik në Zyrën e Kryeministrit e pastaj edhe një takim me shefin e stafit të kryeministrit dhe me përfaqësuesit e të gjitha organizatave profesionale që tani e kundërshtojnë këtë projektligj”, është shprehur ajo.“Ju kemi thënë se do t’i thërrasim ekspertët e BE-së që na kanë ndihmuar në hartimin e këtij projektligji, dhe se do t’i dëgjojë vërejtjet e tyre në mënyrë që këto sa më mirë të adresohen në fund. Askush nga përfaqësuesit e këtyre organizatave nuk ka marr pjesë në atë takim me ekspertët e BE-së. Kam qenë vetëm unë dhe drejtori i Zyrës Ligjore. E kemi propozuar këtë projektligj pikërisht për të mbrojtur interesin publik kur bëhet fjalë edhe për pronësinë e mediave”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi