Demonstruesit mbanin pankarta me mesazhe si “Ndalo urinë e Gazës” dhe “Fund bllokadës”, ndërkohë të tjerë goditnin tenxhere dhe tiganë si një akt simbolik proteste kundër urisë së imponuar qëllimisht nga Izraeli në enklavën e rrethuar.
Aktivistët pro-palestinezë kanë mbushur rrugët në New York City, duke kërkuar t’i jepet fund rrethimit të vazhdueshëm të Rripit të Gazës nga Izraeli dhe duke bërë thirrje për ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për të ndaluar katastrofën humanitare që po përkeqësohet në enklavën palestineze, raporton Anadolu.
Demonstruesit mbanin pankarta me mesazhe si “Ndalo urinë e Gazës” dhe “Fund bllokadës”, ndërkohë të tjerë goditnin tenxhere dhe tiganë si një akt simbolik proteste kundër urisë së imponuar qëllimisht nga Izraeli në enklavën e rrethuar.
Tubimi i mbajtur pranë selisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) ishte pjesë e një dite globale veprime, që u mbajt dje, me synimin për tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj situatës së rëndë me të cilën përballen civilët në Gaza.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se nëntë palestinezë të tjerë kanë vdekur në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, duke e çuar numrin e vdekjeve të lidhura me urinë në 122, përfshirë 83 fëmijë.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka vazhduar me gjenocidin në Gaza që nga fundi i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Vdekjet nga uria ditëve të fundit janë rritur për shkak të një bllokade disamujore dhe shpërndarjes së dobët të ndihmës nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili është kontrovers.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.