Pritet shtrenjtim i rrymës për rreth 14 përqind, nga 1 prilli në fuqi tarifat e reja

Tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi nga muaji tjetër. Nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë thënë se vlerësimet preliminare tregojnë se do të ketë shtrenjtim për 14 përqind. Asnjë palë s’ka dorëzuar komente deri tash për këtë çështje në ZRRE.

Nga 1 prilli i këtij viti, do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike. Këto tarifa do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji i ka thënë Gazetës Express se bazuar në vlerësimet preliminare, këto tarifa do të jenë më të shtrenjta se aktualet për 14 përqind.

Deri tash, Pepaj thotë se asnjë palë s’ka dërguar komente për këtë çështje, edhe pse kanë mbetur vetëm edhe dy ditë kohë.

“Koha për pranimin e komenteve është deri me 3 mars 2023, deri me tani nuk kemi pranuar komente nga asnjë palë e interesit”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e KEDS-s i ka thënë Gazetës Express se janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi