Prishtinë, qiramarrësit e lokaleve protestojnë pas shtrenjtimit të qirave

Prishtinë, qiramarrësit e lokaleve protestojnë pas shtrenjtimit të qirave

Genc Durmishi i cili tha se është prej lokaleve në rrugën “Ardian Krasniqi”, tha se ka dalë për të protestuar për shkak të shtrenjtimit të qirave në lokale ngase nuk mund ta përballojnë një qira të tillë.

Qiramarrësit dhe punëtorët e lokaleve kanë protestuar para Komunës së Prishtinës për rritjen e çmimit të qirasë nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) për lokalet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit thanë se qiraja për lokalet që shfrytëzojnë është rritur për deri 100 për qind, gjë që sipas tyre është e pa përballueshme për shumicën e shfrytëzuesve të lokaleve të cilët kryesisht janë zejtarë.

Genc Durmishi i cili tha se është prej lokaleve në rrugën “Ardian Krasniqi”, tha se ka dalë për të protestuar për shkak të shtrenjtimit të qirave në lokale ngase nuk mund ta përballojnë një qira të tillë.

“Qiratë janë shtrenjtuar diku për 80 për qind. Në një pjesë janë shtrenjtuar për 100 për qind”, theksoi Durmishi i cili kërkoi nga kryetari i Komunës së Prishtinës që të ndërmarrë ndonjë hap për zgjidhjen e këtij problem për ta.

Igballe Makolli, zejtare, tha se tash e 20 vjet është me lokal në Lagjen e Muhaxherëve, ndërsa tha se qiraja për zejtarët në këtë pjesë është shumë e shtrenjtë.

“Kemi edhe tatimin në qira për ta paguar, sigurimin e qirasë, të gjitha i kemi ne pronarët që duhet t’i paguajmë dhe me të vërtetë për neve zejtarëve është shumë”, theksoi Makolli.

Rami Tërholli i cili ka një lokal të gastronomisë tha se i është ngritur çmimi i qirasë për 100 për qind.

“Lokali im është 16 metër katrorë, çmimi për qiranë e tij është ngritur diku me 200 deri 300 euro më shumë”, thekson Tërholli.

Tërholli tha se do të detyrohen që çelësat e lokaleve t’ia dërgojnë Ndërmarrjes Publike apo Komunës së Prishtinës për të treguar se qiratë janë të papërballueshme.

Protestuesit kërkuan që Ndërmarrja Publike Banesore, e cila shtrenjtoi qiranë për metër katrorë nga fillimi i këtij viti nga 7 euro në 10 euro plus TVSH, që t’i mbajë çmimet e vjetra.

Kjo nuk është hera e parë që pronarët e lokaleve të Ndërmarrjes Publike Banesore të protestojnë para komunës së Prishtinës për ngritjen e qirasë së tyre, megjithëse NPB ka thënë se pronat komerciale edhe pas kësaj ngritje të çmimit “janë nën çmimin e tregut të pronave të paluajtshme në Prishtinë për rreth 30 për qind”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova