Presidentja Osmani takoi përfaqësuesit e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës

“Regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional të shqiptarëve”, tha Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësues institucional e politik të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci me të cilët ka diskutuar për procesin e regjistrimit të popullsisë në këto komuna, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Presidenca kosovare, Osmani ka bërë thirrje që shqiptarët t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë, i cili është i hapur deri në fund të muajit tetor 2022 ngase “pjesëmarrja sa më masive në regjistrim është masë kundrejt politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative”.

“Regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional të shqiptarëve”, tha Osmani duke ofruar mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësive diplomatike të shtetit për të bërë thirrje për regjistrim tek të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera.

Osmani ka bërë thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për t’i eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit dhe gjithashtu ka potencuar rëndësinë e bashkëveprimit mes institucioneve kosovare dhe përfaqësuesve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.

Tutje, presidentja Osmani ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si pasojë e politikës së Qeverisë së Serbisë, duke synuar ndërkombëtarizimin e kërkesave për të drejtat e shqiptarëve.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi ka nisur më 1 tetor dhe do të përfundojë më 31 të këtij muaji.

Shqiptarët e kanë bojkotuar regjistrimin e vitit 2011 në Serbi, për shkak të “obligimeve të paplotësuara të shtetit serb ndaj tyre dhe kushteve diskriminuese”.

Kategoritë
LajmeVendi