Presidentja Osmani: Kosova qëndron me Nënat e Srebrenicës

“Për tre dekada, zërat e Nënave të Srebrenicës mbeten thirrja më e fuqishme kundër harresës dhe kundër padrejtësisë”, shkroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar përvjetorin e Srebrenicës në 30 vjetorin e ngjarjes që tronditi botën më 11 korrik 1995.

Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale kujtoi se janë bërë 30 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë ku mbi 8 mijë djem dhe burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

“Për tre dekada, zërat e Nënave të Srebrenicës mbeten thirrja më e fuqishme kundër harresës dhe kundër padrejtësisë. Kosova qëndron me to. Sepse ne e dimë dhimbjen e humbjes dhe luftën e pamposhtur për drejtësi”, shkroi Osmani.

Presidentja kosovare shtoi se në Ditën e Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë le të mos e harrojmë kurrë këtë histori dhe le të mos heshtim për të asnjëherë.

Sot në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari do të mbahet ceremonia e shënimit të 30 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, atje ku po merr pjesë edhe një delegacion nga Kosova i udhëhequr nga kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi