Presidenti Turmp: Armët në Ukrainë do t’i dërgojmë përmes NATO-s

– Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se kanë rënë dakord me NATO-n për të realizuar dërgimin e armëve në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se vendi i tij ka rënë dakord me NATO-n për të realizuar dërgimin e armëve në Ukrainë dhe se koston e këtyre armëve do ta mbulojë NATO, transmeton Anadolu.

Në një intervistë me NBC News, Trump ndau detajet e marrëveshjes së re midis SHBA-së, NATO-s dhe Ukrainës në lidhje me mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Ai ka vënë në dukje se municionet ushtarake të dërguara nga SHBA-ja së pari do t’i dorëzohen NATO-s, e cila më pas do t’ia japë këto armë Ukrainës. “Ne po ia dërgojmë armët NATO-s dhe NATO paguan 100 për qind për këto armë. Armët në thelb do të shkojnë tek NATO. Ndërsa NATO ia siguron këto armë Ukrainës”, tha Trump.

Trump theksoi se marrëveshja në fjalë u arrit në Samitin e NATO-s të mbajtur muajin e kaluar.

Trump vuri në dukje se e njëjta metodë do të jetë e vlefshme edhe për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot. “Ne do t’i dërgojmë sistemet Patriot NATO-s dhe më pas NATO do t’i shpërndajë ato”, tha ai.

Gjithashtu Trump bëri vlerësime edhe për luftën Rusi-Ukrainë, duke theksuar se: “Jam i zhgënjyer nga Rusia, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme”.

Më tej Trump theksoi se do të bëjë një njoftim të rëndësishëm në lidhje me Rusinë të hënën, më 14 korrik.

Pasi tha se planifikon të vendosë tarifa të përgjithshme prej 15 deri në 20 për qind për shumicën e partnerëve tregtarë të SHBA-së, Trump theksoi se tarifat e zbatuara janë pritur shumë pozitivisht.

Tarifat aktuale të përgjithshme zbatohen në nivelin 10 për qind.

Kategoritë
BotaLajme