Vizita e Marco Rubios në EBA është pjesë e një turneu në vendet e Gjirit, që përfshin edhe Kuvajtin dhe Bahreinin.
Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio diskutuan të mërkurën përpjekjet për avancimin e sigurisë, stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Diskutimi erdhi gjatë takimit të tyre në Abu Dhabi, gjatë vizitës së Rubios si pjesë e një turneu në vendet e Gjirit.
Të dy palët gjithashtu “shqyrtuan bashkëpunimin strategjik midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe SHBA-së dhe diskutuan mënyrat për të forcuar më tej koordinimin në fusha të ndryshme në mbështetje të interesave të përbashkëta”, tha agjencia shtetërore e Emirateve WAM.
Vizita e Rubios vjen pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi midis SHBA-së dhe Iranit javën e kaluar për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Rubio është larguar nga Emiratet dhe pritet të vizitojë Kuvajtin dhe Bahreinin para se të kthehet në Shtetet e Bashkuara.








