Presidenti Erdoğan thirrje për Gazën: Ftoj bashkësinë ndërkombëtare të bashkohet në anën e njerëzimit

Kushdo që hesht për gjenocidin në Gaza është “bashkëpunëtor në krimet kundër njerëzimit” të kryera nga Izraeli, tha presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

Turqia do të vazhdojë ta mbajë në agjendën e të gjithë njerëzimit gjenocidin e Izraelit kundër popullit të Gazës, i cili e tejkalon shumë atë të nazistëve, tha Erdoğan, duke folur në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) në Stamboll.

“Qëllimi ynë është të vendosim një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Lejimi i ndihmës humanitare që të hyjë në Gaza është një tjetër përparësi”, tha ai.

“Vështirësitë e fëmijëve në Gaza, të uritur dhe dobësuar sepse nuk lejohet hyrja e ndihmave humanitare, janë vështirësitë tona”, shtoi presidenti turk.

“Askush me sadopak dinjitet njerëzor nuk mund ta pranojë këtë mizori ku vdesin çdo ditë dhjetëra njerëz të pafajshëm sepse nuk mund të gjejnë një kafshatë bukë ose një gllënjkë ujë”, tha Erdoğan.

“Në këto ditë të errëta kur kanë filluar vdekjet masive nga uria, i bëj thirrje të gjithë bashkësisë ndërkombëtare të bashkohet në anën e njerëzimit”, theksoi presidenti turk.

Duke folur për industrinë e mbrojtjes të vendit të tij, ai tha se Turqia ka tejkaluar “embargot, standardet e dyfishta dhe presionet diplomatike” për t’u bërë forcë globale që lë gjurmë në tregun global me industrinë e saj të mbrojtjes.

“Shkalla e prodhimit vendas në industrinë turke të mbrojtjes tani ka tejkaluar 80 për qind”, theksoi ai.

Eventi gjashtëditor që filloi sot organizohet nën kujdesin e presidencës së vendit në koordinim me Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, Sekretariatin e Industrive të Mbrojtjes dhe Fondacionin e Forcave të Armatosura.

Edicioni i 17-të i panairit mbahet njëkohësisht në Qendrën e Panaireve të Stambollit, Aeroportin Atatürk, Hotelin Wow dhe Marinën Atakoy.

Ekspozita shfaq automjete luftarake të blinduara, automjete të blinduara taktike, automjete tokësore, ajrore dhe detare pa pilot, sisteme armatimesh, raketa, sisteme raketash antitank me rreze të gjatë veprimi, armë këmbësorie, simulatorë ushtarakë, zgjidhje të luftës elektronike, grupe fuqie dhe pajisje për asgjësimin e municioneve shpërthyese.

Panairi pritet të tërheqë një numër të madh njerëzish, me shumë ceremoni nënshkrimi.

Edicioni i mëparshëm i panairit u mbajt në korrik 2023 në Stamboll.

Kategoritë
BotaLajmeLajmet Kryesore