Presidenca egjiptiane ushtroi presion ndaj Al-Azharit që të mbështesë Emiratet kundër Iranit

Presidenca e Egjiptit ka ushtruar presion ndaj Al-Azharit që publikisht të mbajë anën e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vendeve të tjera të Gjirit në konfliktin me Iranin, pretendojnë burime të sigurisë dhe burime pranë kësaj institucioni.

Sipas burimeve, që nga fillimi i luftës aktuale, Al-Azhari, institucioni më i rëndësishëm i islamit sunit me seli në Kajro, ka publikuar katër deklarata.

Në njërën prej tyre, sulmet iraniane ndaj Emirateve janë dënuar si “agresion i Republikës Islamike të Iranit ndaj fqinjit të saj mysliman, Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Në të njëjtën kohë, në këto deklarata nuk ka pasur dënim ndaj sulmeve amerikane apo izraelite kundër Iranit, gjë që konsiderohet si një ndryshim nga qëndrimi i mëparshëm i këtij institucioni.

Burime nga udhëheqja e Al-Azharit pretendojnë se agjencitë shtetërore, në fillim të luftës aktuale, kërkuan një pozicionim të qartë në mbështetje të vendeve të Gjirit dhe shmangien e çdo përmendjeje të sulmeve amerikane dhe izraelite, shkruan Middle East Eye.

“Ekzistojnë interesa të mëdha me vendet e Gjirit dhe SHBA-në që nuk mund t’i sakrifikojmë në rrethanat aktuale ekonomike. Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi për shkak të Gazës dhe Al-Azhari do të fajësohej nëse egjiptianët humbnin vendet e punës në vendet e Gjirit në rast se do të mbante qëndrim të kundërt”, citohet të ketë thënë një burim.

Sipas të njëjtave burime, presion i ngjashëm ishte përdorur edhe vitin e kaluar, kur Al-Azhari u detyrua të tërhiqte një deklaratë që kërkonte veprim global për shkak të urisë në Gaza.

Po ashtu pretendohet se zyrtarë nga vendet e Gjirit kishin vizituar imamin e madh Ahmed al-Tayeb dhe kishin paraqitur vlerësime për dëmet që vendet e tyre kishin pësuar, megjithëse burimet pohonin se këto shifra ishin fryrë ndjeshëm.

Burime pranë presidencës egjiptiane thonë se harmonizimi i qëndrimit të Al-Azharit ishte i domosdoshëm për interesat kombëtare të Egjiptit ndaj vendeve të Gjirit, veçanërisht për shkak të marrëdhënieve të afërta mes presidentit Abdel Fattah el-Sisi dhe autoriteteve në Abu Dhabi.

Middle East Eye thekson se këto pretendime nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, ndërsa Al-Azhari dhe zyrat e presidentëve të Egjiptit dhe Emirateve nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment.

Kategoritë
BotaLajme