Presidenca e Kosovës nuk e përkrah letrën e qeverisë drejtuar Këshillit të Evropës

Presidenca tha se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre institucionet duhet paraprakisht të koordinohet dhe miratohet nga po këto tre institucione, përkatësisht nga Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur se letra e Qeverisë dërguar Këshillit të Evropës nuk është konsultuar paraprakisht me presidenten Vjosa Osmani.

Nëpërmjet një deklarate nga këshilltari për media në Presidencë thuhet se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre institucionet duhet paraprakisht të koordinohet dhe miratohet nga po këto tre institucione, përkatësisht nga Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në deklaratën nga Presidenca.

Tutje, në këtë reagim thuhet se presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Prandaj presidentja Osmani edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, përfundon reagimi.

Gjatë ditës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, bëri të ditur se në emër të Qeverisë i ka dërguar letër Këshillit të Evropës me zotimin për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të një draft-dokumenti për themelimin e “një mekanizmi për vetë-menaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Letra drejtuar Këshillit të Evropës erdhi pasi udhëheqësit e institucioneve të larta në Kosovë kuptuan që vende si Gjermania dhe Franca nuk do ta përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa bërë Kosova hapa konkrete për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështetën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk është vendosur në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të këtij organi për më17 maj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili refuzoi kërkesën që asociacioni të jetë parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, tha se pengesat për anëtarësim në Këshillin e Evropës i kanë menduar nga vendet që ende nuk e njohin Kosovën, por assesi nuk mendonin se “pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe janë përkrahëse të Kosovës”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi