Portet turke pritën 490 anije turistike në gjysmën e parë të vitit

– Ministri turk tha se vendi i tij është kthyer në një qendër botërore e turizmit, pasi gjithnjë e më shumë pasagjerë ndërkombëtar zgjedhin vendin për pasurinë e tij historike, kulturore dhe natyrore

Ministri i Transportit i Turqisë, Abdulkadir Uraloğlu, ka bërë të ditur se portet turke kanë mirëpritur rreth 490 anije turistike në gjashtë muajt e parë të këtij viti, një rritje prej 18,07 për qind në baza vjetore, e udhëhequr nga kërkesa e lartë për turizmin detar të vendit.

Duke folur për Anadolu, Uraloğlu tha se numri i pasagjerëve me anije turistike u rrit me 27,46 për qind në baza vjetore në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke arritur në gjithsej 732.302.

“Interesi në rritje për turizmin me anije turistike në vendin tonë është treguesi numër një i kërkesës në rritje për turizmin tonë detar, falë vendndodhjes gjeografike të Turqisë”, tha Uraloğlu.

Ai njoftoi se numri i anijeve turistike që ndaluan në portet turke në muajin qershor u rrit me 14,56 për qind në baza vjetore, duke arritur në gjithsej 173, ndërsa numri i pasagjerëve që mbërritën në këto porte arriti në 293.766, duke shënuar një rritje prej 20,61 për qind në baza vjetore.

– Kuşadası tërheq shumicën e anijeve turistike

Ministri turk tha se vendi i tij është kthyer në një qendër botërore e turizmit, pasi gjithnjë e më shumë pasagjerë ndërkombëtar zgjedhin vendin për pasurinë e tij historike, kulturore dhe natyrore.

Ai theksoi se investimet në turizmin me anije vazhdojnë së bashku me investime të tjera në të gjitha mënyrat e transportit në Turqi.

“Presim që të tejkalojmë lehtësisht numrin prej 2 milionë pasagjerësh këtë vit”, tha Uraloğlu.

Porti i qytetit Kuşadası në jugperëndim të vendit priti 227 anije turistike dhe 339.922 pasagjerë në gjashtë muajt e parë të vitit.

Portet në Stamboll, kryeqytetin tregtar të vendit, pasoi me 96 anije turistike dhe 220.720 pasagjerë, pastaj Bodrumi në jugperëndim me 29 anije turistike dhe 31.761 pasagjerë, Çeşme me 24 anije dhe 11.183 pasagjerë, si dhe Çanakkale me 15 anije.

Uraloğlu njoftoi se portet e tjera gjithsej pritën 99 anije turistike dhe 119.743 pasagjerë gjatë të njëjtës periudhë, si dhe theksoi se nga një anije turistike mbërriti në portet në Fethiye, Göcek dhe Sinop në gjysmën e parë të vitit.

Kategoritë
BotaLajme