Ministri i Jashtëm polak, Sikorski tha se Rusia mund të përgatisë operacion me “flamur të rremë”, pas kërcënimit të presidentit rus Putin për hakmarrje ndaj vendeve evropiane
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski tha sot se Rusia mund të përgatisë operacion me “flamur të rremë”, pas kërcënimit të presidentit rus Vladimir Putin për hakmarrje ndaj vendeve evropiane për të cilat ai pretendon se ishin të përfshira në sulmet me dronë në territorin rus, transmeton Anadolu.
Putini tha se Rusia do të përgjigjet nëse dronët do të lëshoheshin kundër objektivave ruse nga vendet evropiane. “Ata e kuptojnë se hakmarrja do të pasojë. Mendoj se të gjithë e kuptojnë këtë ose duhet ta kuptojnë”, tha Putini të martën.
Sikorski u përgjigj duke bërë paralelizëm me një nga operacionet më famëkeqe të “flamurit të rremë” në historinë evropiane. “Kjo tingëllon si njoftim i një provokimi. Unë pres një sulm në territorin rus nën një ‘flamur të rremë’, të cilit Putini më pas do t’i përgjigjet”, shkroi Sikorski në platformën amerikane të mediave sociale X.
“Unë do t’ju kujtoja se në gusht të vitit 1939 Abwehr (shërbimi gjerman i inteligjencës ushtarake) inskenoi një sulm polak në stacionin radiofonik në Gleiwitz për të krijuar një pretekst për luftë”, shtoi ai.
Vërejtjet e ministrit të Jashtëm i referohen incidentit të Gleiwitz-it, një operacion gjerman nazist në të cilin agjentët gjermanë u paraqitën si sulmues polakë pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Ngjarja u përdor më pas nga Adolf Hitleri si pjesë e justifikimit për pushtimin e Polonisë më 1 shtator 1939.
Varshava ka paralajmëruar vazhdimisht për mundësinë e sabotimit rus, të luftës hibride dhe operacioneve të dezinformimit që synojnë vendet e NATO-s. Shkëmbimi i fundit nënvizon frikën në rritje se konfrontimi midis Rusisë dhe Perëndimit mund të intensifikohet më tej ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e saj të pestë.












