Politologu Maloku: Orientimi i kamotshëm i Kosovës drejt BE-së është nën zero

Politologu Albinot Maloku vlerësoi se zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) është në ngërç për shkak të shpërfytyrimit të rendit shtetëror në Kosovë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Maloku theksoi se mungesa e funksionalitetit institucional si dhe mospërmbushja e reformave të kërkuara ligjore, kanë dëmtuar besueshmërinë e Kosovës tek BE-ja.

“Nuk mund të funksionojë ky raporti ynë për Marrëveshje Stabilizim- Asociim (MSA). I ka ngërçet e veta, por ka arsyet dhe faktorët. Shpërfytyrimi aktual që po i bëhet rendit shtetëror në Republikën e Kosovës është i papërjetuar ndonjëherë dhe gjithçka po kalon në një iracionalitet. Pra, gjendje jashtëzakonisht jo normale po konvertohen në normale. Kjo është pjesa e parë që krijon mosbesueshmëri në instanca si BE-ja. Efekti tjetër është që MSA-ja kërkon edhe reformën ligjore. Këtë reformë duhet ta bëjë Kuvendi. Njëra prej rregullave është që Qeveria pa Kuvendin nuk mund të funksionojë, pra kuvendi është kontrollori. Pamundësojnë që të ketë funksionalizim të mirëfilltë dhe jetësim të MSA-së në Kosovë, ku aktualisht janë shtuar edhe prioritete të tjera”, tha Maloku.

Sipas tij, vendi po humbet mundësi thelbësore financiare, përfshirë ndihmat nga IPA, që kapin vlerën mbi 618 milionë euro, duke ndikuar direkt në sektorë si energjia, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik.

“Vetëm jemi duke e përjetuar këtë, qoftë në efikasitet të jetësimit të asaj që është pjesë e MSA-së, qoftë edhe në aspektin e mbështetjes financiare, duke përfshirë ndalesat që janë rreth çështjeve të IPA-së e të segmenteve të tjera. Si total deri më tani thuhet që është mbi 618 milionë euro. Flasim për pjesën thelbësore të interesit tonë të mbështetjes financiare për komunat, për projekte të caktuara që përfshijnë energjinë, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik, ku Kosova nuk është duke i përjetuar si pasojë e këtij marifeti politik që janë duke e bërë, sidomos subjekti i parë politik i 9 shkurtit që po e shpërfytyron shtetin në të gjitha segmentet”, tha ai.

Maloku fajëson partinë në pushtet për degradimin institucional, duke thënë se orientimi drejt BE-së është nën zero.

“MSA-ja i ka rregullativat e veta. Kosova duhet t’i ketë trupat mbështetës, të cilët punojnë së bashku me BE-në. Duhet të ketë këshill të vetin në kuadër të shtetit për jetësimin e atyre obligimeve, të cilat dalin nga MSA-ja. Situata, në të cilën është Kosova në raport me MSA-në, orientimin e saj të kamotshëm drejt BE-së është nën zero. Pra, kur them nën zero aludoj tek shpërfytyrimi i institucionit, shtetit, që po i bëhet Kosovës. Me theks ai që e ka përgjegjësinë është i pari i subjektit politik. Askush, në asnjë formë, ata që kanë përgjegjësi nuk janë duke punuar dhe jemi shumë larg drejt jetësimit të rrugëtimit të BE-së.

Në raport me BE-në është çështja e ngecjes në BE, besueshmëria e Kosovës tek partnerët e BE-së, aspekti ekonomik i mbështetjes financiare që marrin vendet për të qenë pjesë e BE-së është i stagnuar”, tha për Ekonomia Online, Maloku.

Kategoritë
LajmeVendi