Politikania në Zelandën e Re dëbohet nga parlamenti pasi kërkoi sanksione ndaj Izraelit

Politikania nga Zelanda e Re dhe nënkryetarja e Partisë së Gjelbër, Chlöe Swarbrick, mori urdhër të largohej nga salla e parlamentit pasi kritikoi vonesën e vendit të saj në njohjen e shtetit palestinez dhe bëri thirrje për sanksione ndaj Izraelit.

Incidenti ndodhi gjatë një debati të jashtëzakonshëm, të thirrur pasi koalicioni qeverisës njoftoi se në shtator do të marrë një vendim formal nëse do të njohë apo jo shtetin e Palestinës.

Në një fjalim emocional, Swarbrick tha se Zelanda e Re është “një nga vendet e rralla” që refuzon të bëjë minimumin—njohjen e Palestinës së pavarur.

“Nëse lejojmë që qenie të tjera njerëzore të theren pa mëshirë, të pushkatohen teksa presin ndihmë ushqimore, ç’ shpresë mbetet për njerëzimin?”, pyeti ajo.

Swarbrick u bëri thirrje të gjithë deputetëve të mbështesin projektligjin për “sanksionimin e Izraelit për krime lufte”. Projektligji u paraqit nga partia e saj në mars dhe mbështetet nga të gjitha partitë e opozitës.

“Nëse gjejmë gjashtë nga 68 deputetët e mazhorancës që kanë shtyllë kurrizore, mund të qëndrojmë në anën e duhur të historisë,” tha Swarbrick.

Menjëherë pas kësaj, kryesuesi i seancës Gerry Brownlee e quajti vërejtjen “plotësisht të papranueshme” dhe kërkoi që ajo “ta tërhiqte dhe të kërkonte falje”. Swarbrick u përgjigj shkurt “jo”, çka e shtyu Brownlee-n t’i urdhërojë daljen nga salla.

Kategoritë
BotaLajme