Paul Manafort, ish-shefi i fushatës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore të SNSD-së për zgjedhjet e ardhshme për president të Republikës Srpska, pretendon revista amerikane Politico.
Sipas disa burimeve të këtij mediumi, bashkëpunimi i Manafortit me SNSD-në dhe liderin e saj, Milorad Dodik, ka nisur që në mesin e këtij viti.
Sipas Politico, roli i Manafortit ka qenë përgatitja e fushatës zgjedhore të SNSD-së, dhe sipas deklaratave të tij, ai nuk është angazhuar për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Bashkëpunimi me SNSD-në vjen si pjesë e përpjekjeve të Manafortit për t’u afruar me liderët e djathtë nëpër botë. Ai tashmë ka punuar me disa politikanë në Francë dhe Peru, shkruan Politico.
Sipas të njëjtit burim, angazhimi i Manafortit ka mbetur “në vakum” pasi Dodik pranoi vendimin e Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe hoqi dorë nga posti i presidentit të entitetit, ndërsa në vend të tij është emëruar Ana Trišić-Babić si ushtruese e detyrës së presidentes së RS-së.
Manafort kishte drejtuar fushatën e Trumpit nga qershori deri në gusht të vitit 2016, gjatë ciklit të tij të parë zgjedhor për president të SHBA-së.
Ai u detyrua të dorëhiqej me kërkesë të vetë Trumpit, pasi u zbuluan lidhjet e tij me Rusinë dhe bashkëpunimi me Viktor Janukoviçin, ish-presidentin prokremlinez të Ukrainës.
Për këto lidhje, Manafort u arrestua në tetor të vitit 2017. Lista e akuzave ndaj tij ishte e gjerë: pastrim parash, komplot kundër SHBA-së, deklarata të rreme gjatë regjistrimit si agjent i huaj, dhënie dëshmie të rreme, mashtrim financiar dhe shmangie nga pagesa e taksave.
Proceset gjyqësore përfunduan me një dënim prej gjashtë vjetësh burg. Ai kaloi pas hekurave nga qershori 2018 deri në maj 2020, kur u lirua për të vuajtur dënimin në arrest shtëpie për shkak të pandemisë COVID-19.
Në dhjetor të vitit 2020, Donald Trump e fali Manafortun, duke e bërë atë zyrtarisht njeri të lirë në fund të atij viti.




















