Kur demonstruesit iu afruan stacionit të metrosë Kottbusser Tor, policia ndërhyri ashpër, duke përdorur forcë, duke arrestuar disa prej tyre dhe duke shkaktuar lëndime tek demonstruesit.
Policia gjermane në kryeqytetin Berlin ka ndërhyrë ashpër në një demonstratë pro-palestineze, ku morën pjesë mijëra njerëz, duke arrestuar shumë protestues, raporton Anadolu.
Dje, mijëra njerëz u mblodhën pranë stacionit të metrosë Sudstern në lagjen Kreuzberg për të protestuar kundër luftës gjenocidale të Izraelit dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj krizës së urisë në Gaza.
Më pas, demonstruesit marshuan rrugëve të kryeqytetit duke brohoritur slogane pro-palestineze dhe duke mbajtur pankarta me mesazhe kundër Izraelit. Shumë banorë përgjatë rrugës treguan mbështetje duke u shfaqur në dritaret e tyre të shtëpisë.
Përleshje midis protestuesve pro-palestineze dhe policisë gjermane shpërthyen në disa pika gjatë marshimit.
Kur demonstruesit iu afruan stacionit të metrosë Kottbusser Tor, policia ndërhyri ashpër, duke përdorur forcë, duke arrestuar disa prej tyre dhe duke shkaktuar lëndime tek demonstruesit.
Policia në një njoftim pretendoi se protesta përbënte një “kërcënim për sigurinë publike”, urdhëroi që ajo të mbarojë dhe nuk lejoi që marshimi të vazhdojë më tej.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.