Policia: 21-vjeçari ndalohet në Ferizaj, i gjindet armë zjarri dhe substanca narkotike

Policia e Kosovës ka ndaluar një person në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, nën dyshimet për posedim të paautorizuar të armëve dhe lëndëve narkotike.

Rreth orës 12:40, gjatë patrullimit të rregullt, zyrtarët policorë kanë ndaluar për legjitimim një të ri, i identifikuar me inicialet E. M., 21 vjeç. Gjatë kontrollit fizik dhe të çantës që ai mbante me vete, policia ka gjetur një armë zjarri të llojit pistoletë, një karikator pa fishek dhe një sasi të dyshuar të lëndës narkotike të llojit marihuanë, e paketuar në një kavanoz të vogël.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme. Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar intervistimin e tij në praninë e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt për dy veprat penale:

Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

Posedim i paautorizuar i lëndëve narkotike, substancave psikotrope ose analoge.

Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar.

 

Kategoritë
LajmeVendi