Plazhet në qytetin jugor spanjoll Guardamar del Segura u mbyllën këtë javë pasi në ujë u gjetën dy molusqe helmuese detare.
Për shkak të shfaqjes së “dragoit blu” të quajtur Glaucus atlanticus dhe për sigurinë e qytetarëve, u ndalua noti në të gjitha plazhet lokale deri në një urdhër të ri, njoftoi policia e Guardamarit në një postim në Facebook të mërkurën.
“Kontakti me këtë krijesë detare mund të jetë i rrezikshëm dhe të shkaktojë djegie të dhimbshme në lëkurë”, tha policia, duke shtuar se vizitorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të shmangin çdo kontakt të drejtpërdrejtë me to, edhe nëse shfaqen në rërë.
Kryebashkiaku Jose Luis Saez u bëri thirrje qytetarëve që të njoftojnë autoritetet nëse shohin këtë krijesë dhe të shmangin prekjen, madje edhe nëse mbajnë doreza.
Në rast pickimi, zona e prekur duhet të shpëlahet me ujë të kripur dhe të kërkohet ndihmë mjekësore.
Dragoi blu është grabitqar që ushqehet me meduza helmuese, helmin e të cilave e depoziton në trupin e tij dhe më pas e përdor për vetëmbrojtje. Preja e tij përfshin specie të ndryshme të cnidarëve dhe veçanërisht meduzën helmuese të njohur si “anija luftarake portugeze”, ndaj helmit të së cilës është imun.
Pickimi i dragoit blu, për shkak të helmit, mund të jetë veçanërisht i dhimbshëm për njerëzit.