Plani i Rritjes: BE-ja ndan 87.7 milionë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë – Kosova ende pa asnjë cent

Komisioni Evropian i propozoi Bordit Operacional të WBIF-it një paketë mbështetëse prej 87.7 milionë eurosh për investime në energji të pastër në Ballkanin Perëndimor, me një vlerë të përgjithshme prej 487.3 milionë eurosh, përcjell Reporteri.net.

Kjo paketë përfshinë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Këto investime thuhet se janë të fokusuara në energjinë elektrike, hidrocentralet dhe ngrohjen diellore, do të jenë të parat që financohen nga Mekanizmi për Reforma dhe Rritje në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, dhe do të zbatohen përmes WBIF-it në bashkëpunim me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Nga fondi për vendet e rajonit, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë, një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi por që nuk i ka marrë akoma për shkak të mos konstituimit të Kuvendit për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e fondeve.

Plani, i miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së në maj të vitit 2024 dhe i aprovuar përfundimisht në tetor të po atij viti, kap vlerën prej gjashtë miliardë eurosh. Ai përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027.

Një pjesë e këtyre fondeve do të jepet si grante dhe pjesa tjetër në formën e kredive me kushte të favorshme.

/Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi