Plani i Netanyahut për “qytetin humanitar” të Gazës dështon për shkak të kundërshtimit nga ushtria izraelite

– Qeveria izraelite publikoi një plan javën e kaluar për të zhvendosur të gjithë popullsinë e Gazës në një zonë të re mbi rrënojat e qytetit Rafah

 Plani i Izraelit për të ndërtuar atë që Tel Avivi e quan një “qytet humanitar” për palestinezët në Gazën jugore dështoi për shkak të kundërshtimit nga ushtria, thanë mediat lokale, transmeton Anadolu.

Qeveria izraelite publikoi një plan javën e kaluar për të zhvendosur të gjithë popullsinë e Gazës në një zonë të re mbi rrënojat e qytetit Rafah.

Sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes Israel Katz, banorët palestinezë të Gazës do të mbahen në zonën e re dhe prej andej do t’u lejohet të emigrojnë nga Gaza në vende të tjera.

Plani kontrovers ka shkaktuar zemërim global, me OKB-në dhe grupet e të drejtave që e kritikojnë atë, pasi ai përbën transferim të detyruar të palestinezëve.

Udhëheqësit e opozitës izraelite gjithashtu e kanë denoncuar planin, i cili vlerësohet të kushtojë 4 miliardë dollarë, për shkak të buxhetit të tij të lartë, duke thënë se propozimi do të përbënte internimin e palestinezëve në një “kamp përqendrimi”.

Ushtria izraelite gjithashtu kundërshtoi planin pasi ai do të dëmtonte përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve me palestinezët.

Sipas Kanalit Izraelit 12, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbajti një takim të tensionuar të Kabinetit të dielën në mbrëmje, gjatë të cilit e “hodhi poshtë” planin.

“Kërkova një plan realist”, i tha Netanyahu Shefit të Shtabit, Eyal Zamir, duke bërë thirrje për përgatitjen e një “alternative më të lirë dhe më të shpejtë” deri nesër.

Gjatë takimit, Zamir u përplas me Netanyahun dhe ministrin e tij të Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, lidhur me planin, duke paralajmëruar se propozimi mund të dëmtonte objektivat kryesore të ushtrisë në Gaza.

Ushtria izraelite argumenton se ndërtimi i qytetit të propozuar për të përqendruar palestinezët brenda do të zgjaste disa muaj, dhe ndoshta deri në një vit.

Ushtria izraelite është gjithashtu e shqetësuar se grupi palestinez Hamas do ta interpretonte planin si një vendim izraelit për të ndjekur një marrëveshje të pjesshme dhe për të rifilluar luftën pas çdo armëpushimi.

Kategoritë
BotaLajme