Marina amerikane po investon miliarda dollarë në zhvillimin e dronëve autonomë detarë me synim forcimin e kapaciteteve të saj në një konflikt të mundshëm me Kinën në ngushticën e Tajvanit, por incidentet e fundit gjatë testimeve kanë zbuluar se projekti po përballet me pengesa serioze.
Gjatë një prove pranë brigjeve të Kalifornisë muajin e kaluar, një nga mjetet lundruese pa pilot pësoi papritur defekt për shkak të një problemi softuerik. Në përpjekje për ta zgjidhur, një dron tjetër u përplas direkt në anën e tij, kaloi mbi kuvertë dhe përfundoi në det. I gjithë incidenti u regjistrua në pamje të siguruara nga Reuters.
Incidenti përfshinte dy kompani, Saronic dhe BlackSea Technologies, të cilat po garojnë në zhvillimin e këtyre sistemeve. Vetëm disa javë më herët, gjatë një testimi tjetër, kapiteni i një anijeje ndihmëse përfundoi në det pasi mjeti i kompanisë BlackSea papritur përshpejtoi dhe përmbysi anijen që po tërhiqte. Kapiteni u shpëtua pa lëndime, por ngjarja shtoi dyshimet mbi sigurinë dhe besueshmërinë e teknologjisë.
Ekspertët theksojnë se problemet kanë qenë kombinim i defekteve softuerike dhe gabimeve njerëzore, përfshirë komunikimin e dobët mes sistemeve të brendshme dhe softuerit autonom të jashtëm. As marina dhe as prodhuesit nuk kanë dashur të komentojnë incidentet.
Shtetet e Bashkuara duan të zhvillojnë një flotë dronësh që të mund të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe në formacione “rojesh” kundër një ofensive të mundshme kineze, ndërkohë që përvoja ukrainase me dronë detarë më të lirë dhe të komanduar nga larg ka treguar efektin e madh që kjo teknologji mund të ketë në luftën detare. Por, ndryshe nga mjetet ukrainase që kushtojnë rreth 250.000 dollarë, prototipet autonome amerikane arrijnë në disa milionë dollarë për mjet.
Përveç problemeve teknike, programi po përballet edhe me turbulenca të brendshme. Pentagoni ka pezulluar përkohësisht një kontratë gati 20 milionë dollarëshe me kompaninë L3Harris, softueri i së cilës përdorej në testime. Njëkohësisht, njësia e marinës përgjegjëse për furnizimin me mjete pa pilot, PEO USC, është vënë nën hetim dhe rrezikon restrukturim pas një serie dështimesh, ndërsa komandanti i saj, kundëradmirali Kevin Smith, u shkarkua për “humbje të besimit në udhëheqje”.
Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump në ligjin e tij “Big Beautiful Bill” ka përfshirë gati pesë miliardë dollarë për sistemet autonome detare, brenda një pjese të elitës ushtarake e të mbrojtjes po rritet skepticizmi mbi rentabilitetin dhe gatishmërinë e kësaj teknologjie.
Ekspertët paralajmërojnë se marina po përpiqet të ndryshojë shumë shpejt një sistem tradicional, i mësuar me projekte shumëvjeçare dhe anije të mëdha. Siç thotë analisti T.X. Hammes: “Papritur kërkohet të ecet shpejt, por kjo nuk është diçka me të cilën marina amerikane është mësuar.”
Flota amerikane e dronëve është konceptuar si një armë kyçe në luftërat e ardhshme detare, por dështimet e fundit tregojnë se do të duhet ende shumë kohë para se kjo teknologji të jetë realisht e gatshme për përdorim serioz.