Mijëra qytetarë me flamuj dhe të veshur me ngjyrat e flamurit shtetëror kaltër dhe verdhë prezantuan anash shesheve për të parë parakalimin e forcave të rendit dhe sigurisë
Njësite të ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të Policisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshet kryesore të kryeqytetit Prishtinë me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton Anadolu.
Mijëra qytetarë me flamuj dhe të veshur me ngjyrat e flamurit shtetëror kaltër dhe verdhë prezantuan anash shesheve për të parë parakalimin e forcave të rendit dhe sigurisë.
Në sheshe dhe rrugët kryesore në Prishtinë janë vendosur po ashtu flamuj shtetërorë.
Në këtë ceremoni paraprakisht me fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se periudha nëpër të cilën po kalon shteti në këtë kohë të sfidave e kërcënimeve globale, shton nevojën e bashkimit në një front në të mirë të Republikës.
Osmani tha se kuadratet e ushtrisë dhe të Policisë janë pjesa më e ndritshme e historisë së re Kosovës.
“Vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe ne duhet ta ruajmë dhe ta trajtojmë si të tillë”, ka theksuar Osmani.
Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti tha se barazia dhe drejtësia janë ndër elementet që e karakterizojnë shtetin e Kosovës.
Kurti tha se ritmi i ecjes së Kosovës është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve.
“Në këtë 15-vjetor, ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës. Këta djem dhe vajza që do parakalojnë janë bijtë e bijat e këtij vendi të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre sovranitetin, rendin dhe ligjin e Kosovës”, theksoi Kurti.
Gjatë pasdites së sotme nga Presidenca është organizuar edhe pritja shtetërore për 15-vjetorin e pavarësisë duke filluar nga ora 17:00, ndërsa gjithashtu nga ora 20:00 do të mbahet edhe Koncerti i Pavarësisë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.



















