Pilotët e FSK’së përfundojnë trajnimin rifreskues me helikopter në Turqi

Pilotët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar trajnimin rifreskues me helicopter në Shkollën e Aviacionit Tokësor në Turqi.

Në njoftimin e FSK’së thuhet se gjatë trajnimit pilotët Afrim Zabeli, Atdhe Hasaniu dhe Krenar Voca, zhvilluan dhe përmirësuan aftësitë e tyre përmes fluturimeve praktike, duke përfshirë skenarë të fluturimeve emergjente dhe taktike.

“Po ashtu, ata patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja profesionale me kolegët e tyre nga Forcat e Armatosura të Turqisë, ata treguan standardin e lartë që përfaqëson FSK-ja në çdo angazhim ndërkombëtar.

Republika e Turqisë në vazhdimësi ka dhënë kontributin e saj në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në fusha të ndryshme, dhe me këtë raste mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e kapaciteteve tona ajrore, përmes bashkëpunimeve të tilla, ne rrisim ndërveprueshmërinë me partnerët tanë dhe forcojmë themelet e një ushtrie moderne, të aftë dhe të përgatitur”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, para gjashtë muajsh, Ministri në detyrë i Mbrojtjes, kishte vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të ndryshëm, ndër të cilët edhe helikopterët Black Hawk, që ushtria e Kosovës do t’i ketë në flotën e mbështetjes ajrore.

Ministri Maqedonci së bashku me Gjeneral Jasharin kishin takuar menaxhmentin e kësaj kompanie, ku kishin diskutuar për opsionet e përfshirjes së helikopterëve në inventarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kosova do të jetë më e sigurt me helikopterët që fluturojnë mbi qiellin e saj 🦅”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi