Zyrtarët e Partisë Komuniste Kineze kanë deklaruar se zbulimi i Dalai Lamës së ardhshëm do të kryhet nga qeveria kineze dhe jo sipas udhëzimeve të Dalai Lamës aktual. Kina, e cila e konsideron fituesin e Çmimit Nobel për Paqe si separatist, synon të vërë fenë budiste tibetiane nën kontrollin e saj, por Dalai Lama dhe ndjekësit e tij mbeten një pengesë serioze për këtë ambicie.
Gjatë festimit të 90-vjetorit të lindjes muajin e kaluar, Dalai Lama u tha ndjekësve të tij se do të reinkarnohet dhe se institucioni jofitimprurës që ai ka themeluar do të ketë të drejtën ekskluzive për të përcaktuar reinkarnimin e tij.
Megjithatë, Gama Cedain, nënsekretari i komitetit të Partisë Komuniste të Kinës në Tibet, deklaroi se procesi i reinkarnimit do të realizohet përmes një kërkimi të brendshëm dhe vetëm me aprovimin e qeverisë qendrore.
“Qeveria qendrore ka fjalën e fundit, të padiskutueshme, në lidhje me reinkarnimin e Dalai Lamës”, tha ai në një konferencë shtypi mbi zhvillimin socio-ekonomik të Tibetit.
Ai shtoi se ky është një parim që ndjekësit duhet ta respektojnë, dhe se procesi shtetëror ndjek rituale të rrepta fetare dhe tradita historike të reinkarnimit të Budave të gjallë. “Reinkarnimi nuk është përcaktuar kurrë nga vetë Dalai Lama,” deklaroi Cedain.
Dalai Lama aktual, i 14-ti në radhë si udhëheqës shpirtëror i budizmit tibetian, ka thënë se reinkarnimi i tij do të lindë jashtë Kinës dhe ka përjashtuar mundësinë që Pekini të ketë rol në përzgjedhjen e pasardhësit të tij.
Kujtojmë se Kina, tre dekada më parë, caktoi një murg tibetian të përzgjedhur nga Pekini si Pançen Lama – figura e dytë më e lartë fetare – pasi një gjashtëvjeçar i përzgjedhur nga Dalai Lama për këtë rol u zhduk në vitin 1995.