‘Paralajmërimi i Hovenier’, deputetja e VV-së: Nuk shkundet partneriteti me SHBA-të aq lehtë!

Rregullorja e re e BQK-së, e cila ndalon përdorimit e dinarit, është kthyer në një pikë ngërçi mes Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare.

Të njëjtit kanë kërkuar nga Kosova pezullimin e këtij vendimi.

Ishte mbrëmë, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili deklaroi se nëse ‘Kosova vendos mos të na dëgjojë do të ketë pasoja në cilësinë e partneritetit tonë’.

“Do ta them atë që e kam thënë jo më larg se dje. Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Kryeministri e ka dëgjuar nga unë. Ai e ka dëgjuar këtë nga Jim O’Brien drejtpërdrejt në më shumë se një rast. Unë nuk mendoj se dikush ka dyshime për këto shqetësime të Shteteve të Bashkuara apo të partnerëve tanë sepse, përsëri, kishte një deklaratë të QUINT-it. Nuk jemi të vetëm në këtë shqetësim. Në masën që qeveria është e përgjegjshme ndaj këtij shqetësimi mbi një çështje kaq të ndjeshme se si komunitetet pakicë në Kosovë e ndjejnë se po trajtohen dhe në masën që qeveria i përgjigjet shqetësimeve që ata i ngrenë, për të cilat besojmë se janë legjitime, në masën që qeveria është partnere për të adresuar ato, atëherë ka ndikim pozitiv në partneritetin tonë. Në masën që qeveria vendos të mos i marrë parasysh këshillat tona ose të na dëgjojë, është e qartë se ka pasoja në cilësinë e partneritetit tonë. Sikundër e thashë në deklaratën tim dhe sikundër u tha nga Uashingtoni, e dini, kjo ndikon në aftësinë tonë për të qenë avokatë efektivë për Kosovën në arenën ndërkombëtare” deklaroi Hovenier për rtv21 raporton “Gazeta Blic”.

Në lidhje me paralajmërimin e bërë nga Hovenier ka folur për “Gazeta Blic”, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku.

Ajo tha se nuk beson se do të rrezikohet partneriteti mes dy vendeve pasi sipas saj ‘nuk shkundet partneriteti me SHBA-të aq lehtë’.

“Nuk besoj se do të rrezikohet partneriteti. Është thënë edhe herën e parë por prapë Kosova u kthye në ‘Defender 2024’ .Besoj se janë sqaruar nga ana e partisë tonë në lidhje me këtë çështje.  Nuk besoj se do të ketë pasoja, nuk shkundet partneriteti me SHBA-të aq lehtë” tha Tishukaj-Sadiku në një deklaratë dhënë për “Gazeta Blic”.  

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi