Papa nga Iraku bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës dhe ekstremizmit

Papa Françesku ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës dhe ekstremizmit, në vizitën e parë të një pape në Irak, njëherësh udhëtimi i tij i parë ndërkombëtar që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.

COVID-19 dhe frika e sigurisë e kanë bërë këtë vizitë më të rrezikshme deri më tani, por 84-vjeçari këmbënguli se ai ishte i detyruar për këtë.

Papa Françesku ka thënë se komuniteti i krishterë në Irak, që ka një rënie të madhe, duhet të ketë një rol më të rëndësishëm si qytetarë me të drejta, liri dhe përgjegjësi të plota.

Ai shpreson të nxisë dialogun ndërfetar – duke takuar klerikun mysliman më të madh të Irakut – dhe do të kremtojë meshën në një stadium në veri të vendit.

Rreth 10.000 pjesëtarë të Forcave të Sigurisë Irakiane janë duke mbrojtur Papën, ndërkohë që po vendosen po ashtu oraret e ndalimit për të kufizuar përhapjen e COVID-19.

Kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, e priti Papën në aeroport, me një tapet të kuq, me veshje kombëtare irakiane dhe këngë nga një kor muzikor.

Qindra njerëz u rreshtuan në rrugën e aeroportit ndërsa autokolona e Papës, e ndjekur nga motorët e policisë, u nis për në qytet, aty ku Papa kërkoi ndaljen e dhunës dhe ekstremizmit fetar.

Kategoritë
LajmeVendi