“Ne u strehuam në këtë qendër pasi Izraeli bombardoi zonën. Në ndërtesë kishte vetëm refugjatë të zhvendosur”, tha ai
Anadolu ka kapur pamje të Qendrës Kulturore Ortodokse në Gaza, e cila u shkatërrua nga bombardimet izraelite në jug të enklavës së bllokuar.
Abdulmunim al-Abesi, një nga palestinezët e zhvendosur që u strehuan në qendrën që ndodhet në lagjen Tel al-Hawa, për Anadolu tha se rreth 500 njerëz strehoheshin atje.
“Ne u strehuam në këtë qendër pasi Izraeli bombardoi zonën. Në ndërtesë kishte vetëm refugjatë të zhvendosur”, tha ai.
Pasi forcat izraelite i paralajmëruan ata të evakuonin ndërtesën, al-Abesi tha se ata u zhvendosën në shkollat përreth.
Ai shtoi se gjërat e tyre, duke përfshirë batanije, furnizime ushqimore dhe bombola gazi, ishin varrosur në rrënojat e qendrës, e cila u shkatërrua plotësisht.
Qendra Kulturore Ortodokse u shkatërrua plotësisht në sulmin e Izraelit në lagjen Tel al-Hawa.
Patriarkana Ortodokse Greke e Kudsit dënoi ashpër bombardimin e qendrës nga ushtria izraelite.
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, e cila ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez Hamas më 7 tetor.
Mbi 10 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin e fundit, duke përfshirë të paktën 8.525 palestinezë dhe mbi 1.548 izraelitë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, hodhi poshtë thirrjet në rritje për një armëpushim, duke theksuar se kjo do të ishte një “dorëzim” ndaj Hamasit.
Bllokada izraelite e Rripit të Gazës ka shkurtuar edhe furnizimin me karburant, energji elektrike dhe ujë në Gaza, ndërsa dërgesat e reduktuara të ndihmave nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e më shumë se 2 milionë banorëve.