Palestinezët në Jerusalem detyrohen t’i rrënojnë vetë shtëpitë e tyre që Izraeli të ndërtojë një “park tematik”

Në lagjen al-Bustan në Jerusalemin Lindor, familjet palestineze po i rrënojnë vetë shtëpitë e tyre për të shmangur kostot e larta që do t’u ngarkonin autoritetet komunale para realizimit të projektit për parkun tematik “Kings Garden”.

Gjatë dy viteve të fundit, në al-Bustan, pjesë e distriktit më të gjerë Silwan, janë rrënuar më shumë se 57 shtëpi, ndërsa të paktën edhe tetë të tjera janë planifikuar të rrënohen në javët në vijim. Në atë hapësirë është planifikuar ndërtimi i parkut biblik tematik “Kings Garden”, për të cilin pretendohet se ndodhet në vendin ku mbreti Solomon kishte qëndruar para tre mijë vitesh.

Jalal al-Tawil shikonte teksa traktori që e kishte marrë vetë me qira po rrënonte mbetjet e fundit të shtëpisë që kishte ndërtuar babai i tij, në vendin ku kishin jetuar gjyshërit e tij, shkruan The Guardian.

“Kjo është diçka jashtëzakonisht e rëndë. Kjo është diçka e hidhur”, tha ai.

Ai theksoi se komuna e kishte paralajmëruar se rrënimi nga punëtorët komunalë do të kushtonte 280 mijë shekelë, ndërsa makineria dhe fuqia punëtore që kishte siguruar vetë kushtonin më pak se një e dhjeta e asaj shume.

Studiuesi i organizatës Ir Amim, Aviv Tatarsky, vlerësoi se al-Bustan pasqyron fshirjen e pranisë palestineze nga gjeografia dhe historia e Jerusalemit.

“Izraeli nuk është i gatshëm ta pranojë realitetin binacional, multietnik dhe multikulturor të Jerusalemit dhe po i fshin para së gjithash palestinezët, por në fakt edhe gjithçka që nuk është hebraike, e më pas këtë e mbulon me këtë absurditet të disneyfikimit”, tha ai.

Banorët thonë se nuk kanë ku të shkojnë. Mohammad Qwaider, baba i gjashtë fëmijëve, tha se nëse shtëpia e tyre rrënohet plotësisht, ai do të vendosë një tendë dhe do të qëndrojë në atë tokë. Nëna e tij 97-vjeçare, Yusra, është zhvendosur disa herë me forcë: fillimisht nga Jaffa në vitin 1948, më pas nga Yala në vitin 1967, dhe më vonë nga qyteti i vjetër i Jerusalemit në fillim të viteve shtatëdhjetë.

Komuna e Jerusalemit nuk iu përgjigj kërkesës së The Guardian për koment, por më herët për portalin +972 kishte deklaruar se parku po ndërtohet “në dobi të të gjithë banorëve të qytetit” dhe se shtëpitë në al-Bustan janë ndërtuar ilegalisht. Përfaqësuesit e komunitetit e hedhin poshtë këtë arsyetim dhe pretendojnë se disa objekte janë më të vjetra se okupimi izraelit i Jerusalemit Lindor, si dhe se banorëve palestinezë u janë mohuar për vite me radhë lejet e ndërtimit.

Kategoritë
BotaLajme