Palestinezët në Gaza pa bukë e ujë, OKB: Qytetarët jetojnë me dy copa bukë, uji po mbaron

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ka zbuluar se sa e rëndë është situata në Rripin e Gazës ndërsa Izraeli vazhdon të rrethojë enklavën e mbipopulluar.

Thomas Ëhite, drejtori i Gazës për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë tha se një banorë mesatar i Gazës jeton me dy copa bukë  në ditë.

Mielli për bukën merret vetëm nga stoqet e OKB-së.

OKB  po mbështet rreth 89 furra buke në të gjithë Gazën, e cila synon të furnizojë me ushqim 1.7 milionë njerëz.

Zyrtarët e OKB-së thanë se  “tani njerëzit janë përtej kërkimit të bukës. Kërkojnë ujë”.

Zëvendës koordinatorja e OKB-së për Lindjen e Mesme, Lynn Hastings, e cila është gjithashtu koordinatore humanitare për territoret palestineze, tha se vetëm një nga tre linjat e furnizimit me ujë nga Izraeli është funksionale.

“Shumë njerëz po mbështeten në ujërat nëntokësore të njelmëta ose të kripura” tha ajo.

Gjatë konferencës së tyre me 193 vendet anëtare të OKB-së, shefi humanitar Martin Griffiths tha se negociatat intensive janë ende duke u zhvilluar midis Izraelit, Egjiptit, Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara për lejimin e hyrjes së karburantit në Gaza.

Karburanti, tha ai, është thelbësor për funksionimin e institucioneve, spitaleve dhe shpërndarjen e ujit dhe energjisë elektrike.

Hastings shtoi se gjeneratorët rezervë, thelbësorë për të mbajtur në punë spitalet, impiantet e shkripëzimit të ujit, objektet e prodhimit të ushqimit dhe shërbimet e tjera thelbësore, “janë duke u ndalur një nga një ndërsa furnizimet me karburant mbarojnë”.

Ujërat e zeza nuk po trajtohen dhe përkundrazi po derdhen në det

White ka udhëtuar në të gjithë Gazën në javët e fundit dhe e ka përshkruar vendin si një “skenë vdekjeje dhe shkatërrimi” ku asnjë vend nuk është i sigurt.

Ambasadori palestinez në OKB Riyad Mansour tha se një armëpushim është thelbësor për të shpëtuar jetë.

Mansour shtoi se “pothuajse 50 për qind e të gjitha strukturave në Rripin e Gazës” janë shkatërruar nga Izraeli dhe situata për palestinezët është përtej të kuptuarit dhe përtej përshkrimit”.

Kategoritë
BotaLajmeLajmet Kryesore