Klinika nuk ka shërbime bazë si uji dhe energjia elektrike, sepse ushtria izraelite hyri nga toka dhe shkatërroi infrastrukturën. Me zhvendosjet e vazhdueshme, njerëzit jetojnë pothuajse njëri mbi tjetrin, të uritur, të etur dhe pa ilaçe e trajtim
Qindra palestinezë përpiqen të mbijetojnë, të privuar nga nevojat më themelore të jetës, në një klinikë të drejtuar nga Agjencia e Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Khan Younis, raporton Anadolu.
Palestinezët që erdhën nga rajone të ndryshme dhe u strehuan në Klinikën Qendrore “Khan Younis” të lidhur me UNRWA-në pas urdhrave të evakuimit të ushtrisë izraelite, vazhdojnë jetën e tyre në kushte çnjerëzore.
Klinika nuk ka shërbime bazë si uji dhe energjia elektrike, sepse ushtria izraelite hyri nga toka dhe shkatërroi infrastrukturën. Me zhvendosjet e vazhdueshme, njerëzit jetojnë pothuajse njëri mbi tjetrin, të uritur, të etur dhe pa ilaçe e trajtim.
– Kushtet e jetesës janë shumë të vështira në klinikën që është shndërruar në strehë
Palestinezët që u strehuan në Klinikën Qendrore “Khan Younis”, e cila dikur përdorej si strehë për pacientët, i treguan botës për “mjerimin” që po përjetonin përmes kamerave të AA-së.
Mustafa al-Raqib, një banor i Beni Suheyla i cili u strehua në klinikë, tha se pas urdhrave të ushtrisë izraelite për t’u evakuuar në “perëndim”, ata nuk kishin vend tjetër për të shkuar dhe për t’u strehuar përveç klinikës.
“Kjo klinikë u shërbente pacientëve para luftës, por siç mund ta shihni tani, është pothuajse në rrënoja. Lavamanët janë shumë të këqij, nuk ka ujë. Këtu jetojnë 300 familje. Nuk është e përshtatshme për jetën njerëzore”, tha ai.
Ai shtoi se të gjithë në klinikë ishin të sëmurë dhe nuk gjenin ilaçe. “Kemi dy muaj që vuajmë nga ky mjerim. Pati një armëpushim dhe çmimin e paguam shumë rëndë. Tani, shpresoj se do të ketë armëpushim të ri dhe nevojat dhe kërkesat e popullit do të përmbushen”, tha Al-Raqib.
– Palestinezët nuk kanë më forcë për të duruar
Ummu Emin thotë se kishte ardhur së fundmi në këtë klinikë pasi ishte zhvendosur në shumë vende.
Ajo tregon se problemi më i madh me të cilin përballen në klinikë është pastërtia dhe higjiena. “Ne jetojmë në tenda najloni që i vendosim në tokë. Nuk kemi ushqim, nuk kemi pije, nuk kemi çarçafë, asgjë. Kudo është plot me mbeturina. Nuk mund të blejmë as miell, është shumë i shtrenjtë. Ne sjellim ujë nga larg”, tha Ummu Emin.
Suhejla Ahmed al-Dagme e cila kujdeset për nënën e saj të moshuar dhe të shtrirë në shtrat, tha se ishte shumë e lodhur nga lufta dhe “zhvendosja” që kishte vazhduar për dy vjet.
Në pamundësi për të siguruar higjienë për nënën e saj të shtrirë në shtrat sepse nuk kishte pelena për të rritur ose ujë në zonë, duke qarë Suhejla tha: “Ju lutem më ndihmoni”.