Një nga ndihmat e hedhura nga ajri ra mbi tendën ku strehoheshin palestinezët
Vazhdojnë përpjekjet për të hedhur ndihma humanitare me parashutë nga ajri në Rripin e Gazës, i cili ndodhet nën sulmet dhe embargon izraelite, raporton Anadolu.
Një grup palestinezësh, në kërkim për të mbërritur tek ndihmat e hedhura nga aeroplanët ushtarakë të mallrave, u mblodhën në veriperëndim të qytetit të Gazës. Pas orësh pritjeje nën diellin përvëlues, disa nga palestinezët mbërritën në vendet e hedhjes së ndihmave nga ajri. Një nga ndihmat e hedhura nga ajri ra mbi tendën ku strehoheshin palestinezët.
Palestinezët në rajon thanë se duan që përpjekjet për hedhje ndihmash nga ajri të ndalen dhe që ndihma të shpërndahet përmes institucioneve si UNRWA-së. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 61.258 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, përfshirë 197 që kanë vdekur nga uria.
Ministria tha se 51 palestinezë të tjerë u vranë dhe 230 u plagosën gjatë përpjekjeve për të marrë ndihmë humanitare gjatë ditës së fundit, duke e çuar numrin total të personave të vrarë gjatë kërkimit të ndihmës në të paktën 1.706, me mbi 12.030 të tjerë të plagosur që nga 27 maji, kur Fondacioni Humanitar i Gazës filloi operacionet.
Izraeli ka vendosur bllokadë në Gaza për 18 vjet ndërsa që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha kalimet, duke bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe duke përkeqësuar kushtet për popullsinë prej 2.4 milionë banorësh të enklavës. Sipas zyrës për media të qeverisë së Gazës, Izraeli dje lejoi vetëm 92 kamionë me ndihma, shumë më pak se 600 kamionët e nevojshëm për çdo ditë për të përmbushur nevojat e banorëve.
Më 18 mars, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që hyri në fuqi në janar. Përpjekjet për një armëpushim tjetër të udhëhequr nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat.