Deklarata nga Ministria e Punëve të Jashtme theksoi se thirrja e Parlamentit izraelit për aneksim “është një deklaratë e re lufte kundër popullit palestinez dhe një fytyrë e re e krimeve të gjenocidit, zhvendosjes me forcë dhe aneksimit”
Ministria palestineze e Punëve të Jashtme deklaroi se votimi dhe thirrja në Parlamentin e Izraelit për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar përbën një deklaratë të re lufte kundër popullit palestinez, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme reagoi ndaj votimit në Parlamentin izraelit. Deklarata theksoi se thirrja e Parlamentit izraelit për aneksim “është një deklaratë e re lufte kundër popullit palestinez dhe një fytyrë e re e krimeve të gjenocidit, zhvendosjes me forcë dhe aneksimit”.
Thuhet se ky hap i Parlamentit të Izraelit synon të likuidojë kauzën palestineze dhe të shkatërrojë konsensusin strategjik të bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e një shteti të pavarur palestinez me kryeqytet në Kudsin Lindor.
Në deklaratë u kërkohet të gjitha ambasadave dhe misioneve të huaja t’u shpjegonin ministrive të jashtme, qendrave vendimmarrëse dhe opinionit publik në vendet ku ndodhen rreziqet e thirrjes për aneksim. Gjithashtu u kërkoi atyre të theksonin se si hapi i aneksimit kërcënon shanset për një zgjidhje me dy shtete dhe stabilitetin rajonal dhe global.
“Shtetet duhet ta njohin menjëherë shtetin e Palestinës dhe të sigurojnë anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, paqja duhet t’i imponohet Izraelit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe vendimet legjitime”, thuhet në deklaratë
Parlamenti izraelit votoi dje një rezolutë që i bën thirrje qeverisë të aneksojë Bregun Perëndimor, territoret palestineze që i pushtoi në vitin 1967.
Nga 120 deputetë në parlament, 71 votuan pro vendimit, 13 votuan kundër tij dhe pjesa tjetër abstenuan.