Pakistani dërgoi 8.000 ushtarë dhe avionë luftarakë në Arabinë Saudite në rast të një sulmi nga Irani

Pakistani ka dislokuar 8.000 ushtarë, një skuadron avionësh luftarakë dhe sistem të mbrojtjes kundërajrore në Arabinë Saudite, ndërsa në të njëjtën kohë paraqitet si ndërmjetësi kryesor në konfliktin me Iranin.

Sipas Reuters, dislokimi është konfirmuar nga tre burime të sigurisë dhe dy burime qeveritare, të cilat deklarojnë se bëhet fjalë për një forcë të konsiderueshme me aftësi luftarake, e destinuar për të mbështetur ushtrinë saudite në rast të sulmeve të reja ndaj mbretërisë.

Ushtria pakistaneze, Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit dhe zyra mediatike saudite nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Burimet deklarojnë se Pakistani në fillim të prillit ka dërguar një skuadron të plotë prej rreth 16 avionësh, kryesisht avionë luftarakë JF-17, të cilët prodhohen bashkërisht me Kinën.

Dy zyrtarë të sigurisë deklaruan gjithashtu se janë dërguar edhe dy skuadrone dronësh, si dhe sistemi kinez i mbrojtjes kundërajrore HQ-9.

Pajisjet operohen nga personeli pakistanez, ndërsa shpenzimet mbulohen nga Arabia Saudite.

Sipas të njëjtave burime, forcat e dislokuara kanë për detyrë të zhvillojnë trajnim gjatë periudhës së konfliktit me Iranin, por ato i shtohen mijëra ushtarëve pakistanezë me rol luftarak që tashmë kanë qenë të stacionuar më herët në mbretëri.

Një burim qeveritar, i cili kishte qasje në marrëveshjen konfidenciale të mbrojtjes të nënshkruar vitin e kaluar, pretendon se ajo parasheh mundësinë e dislokimit deri në 80.000 ushtarëve pakistanezë për sigurimin e kufijve sauditë së bashku me forcat saudite.

Dy zyrtarë të sigurisë deklaruan gjithashtu se marrëveshja përfshin edhe vendosjen e anijeve luftarake pakistaneze, por Reuters nuk mundi të konfirmojë nëse ato tashmë kanë mbërritur në Arabinë Saudite.

Agjencia rikujton se Pakistani edhe më parë kishte dërguar avionë pas sulmeve iraniane ndaj infrastrukturës energjetike saudite, përpara se Islamabadi të merrte rolin e ndërmjetësit kryesor dhe të ndihmonte në arritjen e armëpushimit mes Uashingtonit dhe Teheranit, i cili sipas raportit ka vazhduar gjatë gjashtë javëve të fundit.

Kategoritë
BotaLajme