Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së tha sot se janë kryer pothuajse të gjitha përgatitjet për protestën kundër padrejtësive në Hagë, e planifikuar të enjten, më 7 gusht.
Nënkryetari i OVL-së të UÇK-së, Gazmend Syla tha se folës në protestë do të jetë edhe Ali Ahmeti, ish-lideri i UÇK-së në Maqedoni dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim
Syla tha se nuk i intereson qëndrimi i presidentes Vjosa Osmani për protestën.
“Nuk i kem kërkuar dikujt për me dal në protestë – në këtë rast partive politike, apo kujtdo qoftë – ato kanë shpreh vullnet vet për të qenë pjesë e protestës. I falënderojmë të gjithë ata, në këtë rast partive politike dhe plot njerëz të tjerë në forma të ndryshme e kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë. Ky qëndrimi i presidentes me ju tregu drejt shumë pak na intereson. Presidentja nuk e ka luajtur asnjëherë rolin e vet karshi kësaj situate, as karshi veteranëve të luftës. Ajo, asnjëherë së paku nuk na ka kontaktuar, as nuk ka ardhur për të na vizituar sepse tek e fundit bashkëluftëtarët tonë atje [në Hagë] janë pjesë e kësaj organizate. Prandaj, është pak e rëndësishme për ne a merr pjesë presidentja, a s’merr, për ne është pak e rëndësishme”, tha Syla.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin me vete edhe fëmijët në protestë.
“Për ne është e rëndësishme të marrin pjesë qytetarët dhe i ftojmë të mos vijnë vetëm, por t’i marrin edhe familjarët e tjerë, edhe fëmijët me vete – sepse protesta do të jetë paqësore, prandaj sa më shumë që do të ketë fëmijë e familjarë në atë protestë, mesazhi do të jetë më i fortë dhe më i qëndrueshëm”, tha ai.