Osmani për Vuçiqin: Ai flet si një rosë dhe sillet si një rosë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë deklarata të ashpra ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një diskutimi të mbajtur në Hudson Institute në Washington D.C. Ajo e ka cilësuar Vuçiqin si një fatkeqësi jo vetëm për popullin serb, por edhe për të gjithë rajonin dhe aleatët ndërkombëtarë, për shkak të taktikave të tij destabilizuese.

“Kur e shikon Vuçiqin, ai ishte ministri i fundit i propagandës – dua të them, kjo është e vërteta. Ai flet si një rosë dhe sillet si një rosë – ai ende beson në të njëjtën mënyrë të të menduarit. Është fatkeqësi. Fatkeqësi për popullin e Serbisë dhe për vendin që ai drejton. Fatkeqësi për të gjithë rajonin. Dhe më pas është fatkeqësi edhe për të gjithë aleatët tanë, që duhet të merren me taktikat e tij të vazhdueshme destabilizuese, në vend që të flitet për mirëqenie apo projekte rajonale të përbashkëta që do të na shtynin përpara. Në vend që të flitet se si t’u japim mundësi brezave të rinj, ai sjell paqëndrueshmëri, nxitje lufte. Flet për “Serbinë e Madhe” apo për “botën serbe”. Kjo është një kopje e skenarit të Putinit. Ai i sheh vendet përreth si shtete të përkohshme – një logjikë që ka qenë prezente në Rusi që nga koha e Katerinës së Madhe: pushto, pushto, pushto, dhe ndoshta diçka do të mbetet në fund. Është e njëjta logjikë,” tha Osmani, transmeton lajmi.net

Ajo theksoi se Vuçiq nuk është më në një pozicion neutral dhe se tashmë ka bërë zgjedhjen e tij në raport me Perëndimin dhe Bashkimin Evropian.

“Asnjë sanksion ndaj Rusisë, asnjë ndaj Iranit, asnjë përputhje me vlerat perëndimore – çka tregon se ai jo vetëm që rri në dy karrige, por e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij. Pra, ata që vazhdojnë të përdorin taktika pajtimi me shpresën se ai do të ndryshojë, mendoj se thjesht po humbin kohën – sepse e kanë provuar. E kanë provuar për më shumë se një dekadë. Dhe rezultati është ky: 83% e popullit të Serbisë, për shkak të mediave të kapura nga Vuçiqi, besojnë se luftën e ka nisur Ukraina. 83% besojnë dhe kanë besim te Putini. Nuk i besojnë Perëndimit. Nuk kanë besim në udhëheqjen amerikane. Pra, çështja është gjeneratash – jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e mënyrës së të menduarit ku bën pjesë Vuçiqi. Ai ka punuar me Millosheviqin, ka bërë propagandë për gjenocidin në Srebrenicë,” deklaroi Presidentja.

Osmani përmendi edhe rënien e përputhjes së Serbisë me politikat e BE-së që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit.

“Vuçiq në përpjekjen e tij përdor shumë propagandë dhe në 12–13 vitet e fundit që është në pushtet, ka arritur ta sjellë vendin e tij nga një përputhje prej 96% me Bashkimin Evropian, në vetëm 40% përputhje me BE-në,” u shpreh ajo.

Sipas saj, Vuçiq ka qenë gjithmonë i qartë për qëndrimet e tij dhe asnjëherë nuk është distancuar nga politika e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviq.

“Vuçiq ka qenë shumë i qartë për atë që ka besuar dhe asnjëherë nuk është shkëputur kurrë nga Millosheviqi,” përfundoi Osmani

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi