Osmani tha se ky draft i palës kosovare pret që të shndërrohet në bazën kryesore të procesit të krijimit të asociacionit dhe jo drafti i një të të ashtuquajturi “ekip menaxhues që udhëhiqen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nga dialogu i sotëm i nivelit të lartë Kosovë-Serbi pret që pala kosovare ta ketë të gatshëm një draft të sajin të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Anadolu.
Pas vizitës në përvjetorin e Masakrës së Studimes në Vushtrri, presidentja Osmani tha se ky draft i palës kosovare pret që të shndërrohet në bazën kryesore të procesit të krijimit të asociacionit dhe jo drafti i një të të ashtuquajturi “ekip menaxhues që udhëhiqen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq”.
“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, sepse ne nuk guxojmë që të lejojmë që drafti një të ashtuquajturi ‘ekipi menaxhues’, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave. Pra ta kemi draftin tonë i cili është në përputhje të plotë me Kushtetutën, është në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, është po ashtu në përputhje me qëndrimin e shkruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Chollet dhe Escobar dhe siguron që nuk preket as sovraniteti as integriteti territorial e as parimi i unitarititetit të shtetit”, theksoi Osmani.
Sa i përket çështjes së asociacionit, një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti u shpreh se nuk e di çfarë drafti për Asociacionin do ta prezantojë Bashkimi Evropian (BE) teksa është zotuar se nuk do t’i jepet kurrfarë pushteti ekzekutiv komunitetit serb në Kosovë.
Tutje Osmani po ashtu ka thënë se diskutimi për të pagjeturit në Bruksel sot është me rëndësi pasi do ta detyrojë Serbinë t’i hapë arkivat e luftës së fundit në Kosovë.
“Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e parë e agjendës nga ajo që është prezantuar nga ana e Bashkimit Evropian. Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hapë arkivat, aty ku gjinden dëshmitë për mbi 1 mijë e 600 të zhdukur me dhunë, të luftës së fundit në Kosovë”, theksoi Osmani duke shtuar se ka dyshime për atë se “çfarë do të zbatojë Serbia”, nga kjo marrëveshje.
Sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Takimi që pritet të fillojë nga ora 6 e mbrëmjes dhe është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.
