Osmani në Podgoricë, Vuçiq: S’kam asgjë kundër saj, por e dini çka shkruan në Kushtetutë të Serbisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është pyetur sot për pjesëmarrjen në të njëjtë ngjarje me presidenten Vjosa Osmani në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi.

Ai tha se s’ndihet i lumtur për këtë gjë, por se e bëri këtë për shkak të “respektit” që ka për Malin e Zi.

“Nuk jam i lumtur për këtë, pasi e dini se çfarë shkruhet në Kushtetutën e Serbisë. Jo sepse kam diçka personale kundër saj, por për çdo gjë tjetër. Por gjithsesi erdha. Nëse me të vërtetë po pyet për çështjet e protokollit, diku kam ardhur dhe diku jo. Ju do ta shihni atë. Doja të tregoja respekt dhe sa e rëndësishme është për ne të kemi një mik të vërtetë në Mal të Zi. Çdo përparim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. E kuptova Milatoviqin se ai dëshiron të forcojë lidhjet ekonomike dhe ne të dy jemi në rrugën europiane. Kemi disa dallime, jo vetëm në rajon, por kjo nuk duhet të jetë pengesë për marrëdhëniet miqësore. Nganjëherë do të guxoja të them marrëdhënie vëllazërore”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqit iu desh të arsyetohej edhe për atë se ishte i ulur afër presidentit të fqinjit tjetër të Kroacisë. Me të, Vuçiq tha se edhe ka folur, derisa ka përmendur edhe lajmet që shkruhen për të në Kroaci.

Ne gjithmonë flasim. Ne njihemi prej shumë vitesh, flasim normalisht dhe racionalisht. Është e rëndësishme që të ndërtojmë marrëdhënie më të mira me Kroacinë”.

“Në Kroaci, sa më shumë që shkruajnë për mua, aq më shumë më duan njerëzit në Serbi. Sa më shumë të presin ditët e zeza në Serbi, aq më shumë energji investojnë njerëzit në Serbi dhe punojnë shumë. Unë rregullova gjithçka me ta, urrejtja që ata derdhin kundër meje është diçka që më bën dobi. Shikoni titullin e vitit 2017, ishte qershor apo korrik, pikërisht njësoj, Vuçiq është i frikësuar, mbaroi. Tash e gjashtë vjet kam mbaruar”, tha Vuçiq.

Më pas, Vuçiq tentoi të paraqitej paqësor, duke thënë se “është e rëndësishme të kuptohen dhe respektohen dallimet dhe se shpreson të përmirësojë më tej marrëdhëniet me të gjithë nga rajoni”.

Kategoritë
Lajme