Osmani në Ditën e Europës:BE t’i heqë masat dhe të bëjë “trajtim më serioz” ndaj Vuçiq që shkoi te Putini

Presidentja Vjosa Osmani në Ditën e Europës ka kërkuar nga Bashkimi Europian heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe “trajtim më serioz” të politikave destabilizuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ajo përmendi edhe vizitën e Vuçiqit në Moskë për paradën atje.

“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë – të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë”.

Osmani tha se për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi “të përkushtimit tonë të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive me të cilat përballemi gjatë këtij rrugëtimi”.

“Në Ditën e Evropës, reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e përditshëm të shtetit tonë”.

“Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”.

Kategoritë
BotaLajmeRajoniVendi